Tunizia do të mbyllë rreth 80 xhami, që akuzohen për nxitje të dhunës, ka thënë kryeministri i vendit, Habib Essid, pas një sulmi në një plazh, ku u vranë 39 persona.
“Xhamitë që operojnë jashtë kontrollit të shtetit, janë duke përhapur helm dhe ato do të mbyllen brenda një jave. Disa xhami vazhdojnë të përhapin propagandë dhe ta promovojnë terrorizmin”, ka theksuar kryeministri tunizian.
Të premten, një person i armatosur hapi zjarr në një vendpushim për turistë. Në mesin e të vrarëve kishte tunizianë, britanikë, gjermanë, belgë, francezë dhe irlandezë, si dhe personi i armatosur që u qëllua nga forcat e sigurisë, kurse përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Shteti Islamik.
