Ujërat e zeza që po derdhën për gjatë vijës rrjedhëse të lumit Nerodime në Ferizaj janë bërë problem për banorët e lagjes së Sherretëve
Mungesa e reshjeve ka bërë që ky lum gati të shteroj dhe nëpër shtratin e tij të qarkullojnë vetëm ujërat e zeza që vijnë nga fshatrat e grykës së Jezercit.
Kryetari i lagjes së Sherretëve, Ilir Avdyli, në hall thotë se banorët e kësaj lagjeje të shtyrë nga gjendja e krijuar janë detyruar që të kërkojnë ndihmë në institucionet e pushtetit. Ai shpjegon se këtë gjendje e shkaktojnë ujërat e zeza dhe bllokimi i shtratit të lumit me mbeturina pas të reshurave, gjë që sipas tij po e devijon edhe rrjedhën e lumit.
“Kjo pjesë është duke pasur probleme me ujërat e zeza si dhe me shtratin e lumit i cili po mbushet nga të reshurat e ku si rezultat e kësaj lumi po del nga rrjedha normale e tij. Ne ishim në komunë dhe kemi marrë premtime nga zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike se kjo gjendje do të sanohet menjëherë” ,shpjegon Avdyli.
Ndërkohë pas inspektimit të gjendjes së lumit, komuna ka ndërmarr veprime në sanimin e gjendjes së krijuar në atë pjesë.
Përfaqësuesi i firmës kontraktuese “Rahovica” ka thënë se bëhet fjalë për një pjesë të madhe të dheut që duhet hequr nga shtrati në mënyrë që të mundësohet qarkullimi i ujërave. Ai e ka përshkruar gjendjen më të rëndë tek vendi i quajtur “Ura e Dudit”, e cila për shkak të një kthese aty po stacionohen mbeturinat që po i sjell shtrati i lumit.
Mësohet se ky problem do të zgjidhet atëherë kur të eliminohen mosmarrëveshjet pronësore për pjesën nëpër të cilën duhet të kaloj rrjeti i kanalizimit deri te kolektori kryesor. Deri atëherë ujërat e zeza do të derdhet në shtratin e lumit, të cilat edhe do të sjellin probleme për banorët e kësaj zone.
