UP: Zihen për tituj

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Mos votimi i rendit të ditës dhe mos shqyrtimi i rasteve të punimeve të vonuara të profesorëve dhe asistentëve që nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara, ka shtyrë rektori e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ta mbyll mbledhjen e Senatit të UP-së.
Për të gjithë këta profesorë, komisioni recensues – që ka formuar Senati – kishte shkruar fjalët më të mira, në të shumtën e rasteve duke i shtrembëruar ose heshtur faktet për t’i propozuar të gjithë, pa përjashtim për avancim. Komisionet recensuese përbëhen nga tre profesorë që japin mendimin me shkrim për punën e kolegut që aplikon për avancim, ndërsa raportet e tyre janë publikuar në ueb-faqen e Universitetit. Por, këtë herë kandidatëve për avancim dhe komisioneve që i shkruan recensionet e tyre ju hasi sharra në gozhdë, shkruan Telegrafi.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, i dërgoi të gjitha recensionet në Komisionin për Mësim të themeluar nga vet Senati i Universitetit, i cili i shqyrtoi rastet një nga një dhe nxori përfundim se shumica dërrmuese nuk i plotësojnë kushtet themelore për avancim.
Në mesin e tyre, ka shumë emra të njohur për publikun, por edhe anëtarë të Senatit dhe të Këshillit Drejtues. Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga gjashtë fakultete, Komisioni konstatoi se në mesin e atyre që nuk i plotësojnë kushtet për avancim, janë: Mytaher Haskuka, deputet i LVV në Kuvendin e Kosovës; Ferdije Zhushi, kryetare e Bordit të Agjencisë së Akreditimit; Ethem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe ish-ministër; Skender Ahmeti, dekan i Fakultetit Ekonomik; Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës; Linda Grapci-Kotorri, prorektore e Universitetit të Pejës; Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit dhe ish-ministër; Imer Rusinovci, anëtar i Senatit dhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës; Kemajl Kurteshi dhe Sabrije Osmanaj, anëtarë të Senatit të UP-së; Safet Merovci, anëtar i Këshillit Drejtues të UP, e të tjerë.
Të gjitha këto raste dhe shumë të tjera duhet të shqyrtoheshin në mbledhjen e sotme të Senatit, ku anëtarë janë të paktën gjashtë nga ata për të cilët Komisioni ka konstatuar se nuk i plotësojnë kushtet për t’u avancuar. Megjithatë, kjo nuk u lejua nga anëtarët e pranishëm të Senatit. Që në fillim të mbledhjes vërehej një homogjenizim, i cili u reflektua përmes kërkesës që të mos merren parasysh mendimet e Komisionit për mësim, por të komisioneve recensuese që, pa përjashtim, kishin rekomanduar avancime për të gjithë. Pas diskutimit – ku më të zëshmit ishin pikërisht anëtarët e Senatit që sipas Komisionit për Mësim nuk i plotësonin kushtet për avancim – rektori e ndërpreu mbledhjen pa e caktuar vazhdimin e saj.