Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren,është mbajtur Konferenca përmbyllëse e Projektit të TEMPUS-sit, për themelimin e programit për studime Master në Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim të Turizmit, projekti i përgatitur nga organizata arsimore “WUS Kosova” dhe i mbështetur nga Komisioni Evropian.
Të gjithë partnerët e kanë konsideruar si të suksesshëm realizimin e këtij projekti, ku gjenerata e parë është në përfundim e sipër të studimeve ndërsa gjenerata e dytë sivjet vazhdojnë në vitin e dytë të studimeve Master.
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj e vlerësoi si mjaft të suksesshëm këtë projekt, duke i falënderuar për bashkëpunim të gjithë partnerët vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.
Ai theksoi se ky program studimor i nivelit Master do të vazhdojë së funksionuari edhe në vitet në vijim.
Projekti është realizuar me sukses në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës, dhe Universitetin ‘Keti Peskara’ nga Italia dhe partnerët tjerë, si Universiteti i Durrësit, Instituti i Monumenteve Kulturore të Tiranës, Universiteti i Shkodrës, si dhe partnerët ndërkombëtarë: Instituti Katalia nga Spanja, Qendra Hulumtuese nga Varshava, një rrjet i instituteve për trashëgimi kulturore dhe hulumtime nga Napoli i Italisë, si dhe Universiteti Telematika nga Italia.
