Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së Bajramit të Madh, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë.
Presidentja Jahjaga tha se në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të sakrificës, mëshirës, solidaritetit dhe paqes, uroj që të gjithë besimtarët myslimanë, të bashkuar, në begati dhe në harmoni, të festojnë me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit e tyre.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Bajramit të Madh, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë dhe Bashkësinë Islame të Kosovës.
Kryeministri Mustafa thekson se në këtë ditë feste, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë tubohen për të kremtuar së bashku me familjarët, shokët dhe më të dashurit e tyre.
Në këtë ditë të shënuar, kryeministri Isa Mustafa, thekson se Festa e Bajramit mbi të gjitha simbolizon përkushtimin për paqe, solidaritet, mirëkuptim e tolerancë, vlera që e kanë karakterizuar ndër shekuj popullin e Kosovës.
Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët e besimit islam të Kosovës.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë në Republikën e Kosovës ua uroj festën e Bajramit, duke ju dëshiruar mirëqenie dhe lumturi në familjet e tyre.
Kjo festë shënon përmbylljen e muajit të agjërimit, i cili është muaj i vlerave të humanizmit, sikurse janë paqja, mirëkuptimi, toleranca dhe solidariteti ndërnjerëzor. Këto vlera nuk i kanë munguar asnjëherë popullit tonë dhe ne sot duhet të angazhohemi të gjithë në forcimin e këtyre vlerave” uroi Veseli.
Ndërsa në urimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme ,Hashim Thaçi thuhet :
“Uroj të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Bajramit të Madh. Në këtë ditë të shenjtë që simbolizon solidaritetin dhe miqësinë me njëri-tjetrin, ju uroj të gjithëve shëndet, mirëqenie dhe shumë gëzime në familjet tuaja”
Me rastin e festës së Fitër Bajramit ka uruar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Kam kënaqësinë që me rastin e Fitër Bajramit t’jua përcjellë urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve në vendin tonë, familjeve të tyre dhe shqiptarëve kudo që janë. Uroj që kjo festë të sjellë sa më shumë dashuri e harmoni mes nesh” u shpreh Haradinaj .
NISMA për Kosovën, të gjithë qytetarëve të besimit islam ju uron festën e Fitër Bajramit.
“Le të jetë kjo ditë e mirësisë, paqës, solidaritetit, tolerancës dhe dashurisë ndërnjerëzore.
NISMA për Kosovën, të gjithë qytetarëve të besimit islam u dëshiron shëndet dhe suksese në familjet e tyre!” thuhet në urimin e tyre.
Nënkryetari i Qeverisë së Kosovës Branimir Stojanoviq ua ka uruar sot, me anë të një mesazhi, festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë.
“Personaliteteve të larta të Bashkësisë Islame dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame ju uroj Fitër Bajramin. Dëshiroj që festën ta kaloni me shëndet, paqe, tolerancë dhe mirëkuptim.Bajrami është një festë e cila mban mesazhin e paqes, festë e cila na përkujton përsëri që ta zgjerojmë respektin e ndërsjellë, harmoninë dhe tolerancën. Bashkëjetesa është e mundur vetëm në tolerancë të ndërsjellë, mirëkuptim dhe respektimin e diversitetit kulturor dhe fetar” u shpreh Stojanoviq
