Ushtria peruane shpëton 39 robër nga një fermë e kryengritësve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ushtria e Perusë ka çliruar 39 persona, të cilët kanë punuar si robër në një fermë të organizatës kryengritëse, Shtegu i Dritës.
Disa prej tyre janë rrëmbyer para 30 viteve, ndërsa ministria e Brendshme e Perusë njoftoi se në mesin e tyre ishin edhe 26 fëmijë, disa prej të cilëve kanë lindur në robëri.
Në operacionin e shpëtimit ishin të përfshirë 120 ushtarë, të cilët robërit në një vend të sigurt i transportuan me helikopterë. Zyrtarët e ushtrisë njoftuan se deri te ferma i ka dërguar një ish-rob, i cili aty kishte qëndruar disa vjet, para se të arratisej muajin e kaluar.
Një zëdhënës i ushtrisë tha se qëllimi i operacionit ishte të shpëtohen pengjet e grupit kryengritës, të cilët kanë qenë të detyruar që të punonin në të ashtuquajturat kampe të prodhimit.
Bëhet fjalë për kampe në të cilat fëmijët kryenin punë bujqësore, ndërsa femrat lindnin fëmijët e kryengritësve.
Mediet peruane njoftuan se disa prej fëmijëve ishin rrëmbyer në fshatra të largëta, por prindërit nuk kishin njoftuar policinë për rrëmbimet, ngase frikësoheshin nga hakmarrja e kryengritësve.
Shtegu i Dritës është një grup i majtë, i inspiruar nga maoizmi dhe kjo organizatë u mposht në vitet e 90-ta, pasi që udhëhoqi një kryengritje të përgjakshme në një prej shteteve më të varfra të Amerikës Latine./21Media