Vala, 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët

НАЈНОВИ ВЕСТИ

​Operatori publik Vala, i është bashkëngjitur fushatës së Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, “Ti je pjesë e Atdheut”, qëllimi i së cilës është krijimi i lehtësirave për bashkëatdhetarët. Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet sërish në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, tani e tutje, nuk do t’iu duhet t’i hedhin në shportë numrat e telefonit, SIM Kartelat, për mungesë afati vlefshmërie, pasi operatori publik Vala, do t’ia mundësojë atyre që të përdorin të njëjtët numra edhe kur të rikthehen në Kosovë pas një viti.
Rritja e afatit të vlefshmërisë të SIM Kartelave për bashkëatdhetarët, është vetëm një prej përfitimeve që Vala këtë vit parasheh të ofrojë për këtë kategori, pasi vendosi t’i bashkohet së bashku me Postën e Kosovës, fushatës së Ministrisë së Diasporës me moton “Ti je pjesë e Atdheut”.
Vala do të ofrojë 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të përmbajnë 500 megabajt internet të shpejtë 3G e 4G, 30 minuta në rrjetin Vala dhe në numrat fiks dhe 100 SMS. Pakoja quhet Diaspora.
Të gjitha këto përfitime për bashkëatdhetarët u bën realitet përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi të nënshkruar mes Ministrisë së Diasporës, Vala-s dhe Postës së Kosovës.
Marrëveshja gjithashtu parasheh që Vala dhe Posta e Kosovës të ndihmojnë në fushatën për regjistrimin e mërgimtarëve, duke vënë gjithë infrastrukturën e tyre në funksion të regjistrimit të bashkëatdhetarëve.