Së paku 585 shtëpi dhe qindra objekte tjera janë djegur si pasojë e zjarrit të madh, i cili po vazhdon që disa ditë në shtetin e Kalifornisë. Autoritetet në këtë shtet në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa me mijëra njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Si pasojë e zjarrit ka humbur jetën së paku një person, ndërsa mbi 13 mijë banorë janë evakuuar. Siç njoftuan agjencitë e lajmeve, mbi 9 mijë objekte në rajonin rreth 80 kilometra në perëndim të Sakramentos mbesin të rrezikuara nga flakët.
Në shuarjen e zjarrit janë angazhuar mbi 2300 zjarrfikës, ndërsa katër prej tyre kanë pësuar lëndime.
Zjarri shpërtheu javën e kaluar dhe u përhap brenda vetëm disa orëve.
Ministria e Kalifornisë për Pylltari dhe Mbrojtje nga Zjarri ka njoftuar se flakët janë përhapur në një hapësirë prej mbi 10 mijë hektarë./21Media
