Bashkia e Tiranës ka vendosur të marrë një sërë masash për të shmangur trafikun në nisje të vitit të ri shkollor, që do të fillojë të hënën.
Kjo pasi gjithë këto vite jo vetëm fëmijët e vegjël por edhe prindërit e tyre kanë vuajtur pasojat e trafikut dhe bllokimit të rrugëve duke u vonuar si në punë ashtu edhe në shkollë.
Kjo është edhe arsyeja pse paraditen e sotme kryebashkiaku Erion Veliaj, mblodhi 24 administratorët e Tiranës për t’u dhënë udhëzimet e fundit për përballimin e kaosit që shkaktohet në trafik.
Veliaj njoftoi një sërë masash për të shmangur trafikun duke nisur me ndalimin e mjeteve të transportit të mallrave në oraret kur nxënësit shkojnë dhe kthehen nga shkolla.
Po ashtu kryebashkiaku Veliaj tha se do të bashkëpunohet ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit për projektin e shkollave komunitare.
