Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, sot ka vizituar komunën e Podujevës, me ç’rast u prit nga kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu.
Ministri Hyseni dhe kryetari Veliu biseduan për një varg çështjesh që preokupojnë këtë komunë, me theks të veçantë për çështjen e rendit dhe sigurisë për qytetarët e Podujevës.
Nga të dy bashkëbiseduesit u vlerësua se siguria në komunën e Podujevës është në nivel të duhur dhe se nuk ka vend për ndonjë shqetësim të theksuar.
“Ka më shumë se dy vite që nuk ka ndodhur asnjë vrasje dhe statistikat për format e ndryshme të veprave kriminale janë në rënie”, tha kryetari Veliu.
Ministri Hyseni u zotua se Policia e Kosovës është e gatshme në çdo moment tu përgjigjet kërkesave të qytetarëve, në mënyrë që të evitohen rreziqet e mundshme nga faktorë të ndryshëm.
Kryetari i Komunës Agim Veliu, shprehu brengën e tij lidhur me prerjen ilegale të pyjeve dhe për numrin e vogël të zjarrfikësve si dhe për mjetet e vjetruara të tyre.
