Kryetari i Kuvendit e zhvilloi një vizitë edhe në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit, gjatë të cilës mbajti fjalë rasti para studentëve dhe stafit akademik të këtij universiteti
Sot, në kuadër të shënimit të Ditës së Rivarrimit të Dëshmorëve të rajonit të Gjilanit dhe Zonës së Karadakut të UÇK-së, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëri homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në qytetin e Gjilanit dhe në shenjë nderimi për sakrificën e tyre, vendosi tufë me lule.
“Çdo përvjetor ne përulemi para dëshmorëve të lirisë, të cilët bënë gjithçka që Kosova të gëzojë sot lirinë. Familjarët e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për bijat dhe bijtë e tyre, bashkëluftëtarët duhet ta vazhdojnë amanetin e dëshmorëve, ndërsa qytetarët duhet t’i respektojnë më shumë këto vlera sublime”, tha me këtë rast kryetari Veseli.
Aktiviteti i kryeparlamentarit Veseli në këtë ditë të shënuar, vazhdoi më vizita në familjet veprimtarëve të shquar, dëshmorëve të kombit, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha dhe Abdullah Tahiri. Gjatë këtyre vizitave kryetari Veseli u prit nga familjarë të dëshmorëve, të cilët shprehën konsideratën e lartë për vizitën e kreut të Kuvendit në këtë ditë të shënuar.
“Gjaku i Rexhep Malajt, Nuhi Berishës dhe dëshmorëve tjerë të kombit, është në themelin e lirisë që sot gëzon vendi ynë, para varreve të të cilëve ne sot përulemi, duke qenë të përkushtuar që të ndërtojmë shtetin tonë, si detyrim të përhershëm ndaj sakrificës së shumë gjeneratave”, theksoi kryetari Veseli.
Gjatë ditës së sotme, kryetari i Kuvendit e zhvilloi një vizitë edhe në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit, gjatë të cilës Ai u prit në takim nga U. D. i rektorit, Naim Syla dhe drejtues të tjerë të universitetit, ndërsa mbajti një fjalë rasti para studentëve dhe stafit akademik të këtij universiteti.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Veseli u përcolli studentë mesazhin që të jenë të përkushtuar maksimalisht ndaj dijes dhe shkencës, në favor të tyre, familjeve dhe vendit në përgjithësi.
