Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka pritur të mërkurën rreth 200 mërgimtarë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, për të cilët tha se nuk janë ndalur kurrë së punuari për Kosovën.
Duke u uruar mirëseardhje në vendlindje, ai tha se tashmë duhet t’i ipet fund epokës së mërgatës pa shtet.
“Në 20 vitet e fundit atdheu ynë ka kaluar nëpër ngjarje të mëdha historike. Roli i mërgatës sonë në këto ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm. Kosova nuk do të mbijetonte pa mbështetjen tuaj. Kur nisi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,bashkatdhetarët ishin të parët që ju përgjigjën thirrjes së atdheut. Brenda një kohe të shkurtër e gjithë mërgata jonë u kthye në një logjistikë të fuqishme të luftës çlirimtare, një logjistikë që edhe shtetet më të organizuara do ta kishin zili”, theksoi Veseli.
Ai tha se mijëra djem lanë familjet e tyre, shkollat dhe vendet e punës nëpër vendet perëndimore dhe u rreshtuan në njësitet e UÇK-së, shumë prej të cilëve ranë dëshmorë e shumë humbën gjymtyrët e tyre.
“Ata sakrifikuan fatin e tyre individual për të mbrojtur dhe çliruar atdheun. Ne do të përkulemi përjetë para veprës dhe kujtimit të tyre. Shërbimet që shteti duhet t’i kryej ndaj jush ende nuk janë në nivelin e duhur. Shpesh herë kjo ndodhë për shkak të burimeve të kufizuara, por shpeshherë edhe për shkak të neglizhencës burokratike”, tha tutje Veseli.
Sipas tij, mërgata duhet të ndjej se shteti i Kosovës është pranë saj, pranë halleve dhe nevojave të saj.
