Mustafa lavdërohet me investimet e jashtme, thotë se për 6 muaj ia kaluan vitit që shkoi
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të protestojnë sërish të premten me kërkesën kryesore shqyrtimi sa më i shpejtë i ankesave dhe fillimi i zbatimit të ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaLive, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi.
Ai ka thënë se protesta do të filloj nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të zgjas deri në ora 13:00 ndërsa ka ftuar të gjithë ish pjesëtarët e UÇK-së që t’i bashkohen kësaj proteste.
“Nesër duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 13:00 e kemi një protestë dhe qëllimi i saj dihet pra janë kërkesat e njëjta të ditës së hënë e që është shqyrtimi sa më i shpejtë i ankesave dhe fillimi i zbatimit të ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së”, tha Qeriqi.
Ai e ka kritikuar Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit apo të internuarit të UÇK-së për të cilin ka thënë se që nga fillimi e ka nisur punën keq dhe kështu edhe po e përfundon.
“ Ky Komision ka filluar punën keq qysh në fillim dhe po e përfundon keq, po bëhen gati tri vite dhe është e pakuptimtë dhe e padrejtë me këto lojëra që i kanë bërë ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së, veteranët nuk e kanë merituar që të luhet kështu sepse kanë mundur që ta përfundojnë këtë proces brenda 1 muaji apo dy por qëllimshëm është bërë kjo vonesë dhe sa i përket fryrjes së listave kjo nuk diskutohet sepse për të gjitha zonat është raportuar se ka pasur parregullsi”, theksoi Qeriqi.
Ai shtoi se janë duke kërkuar publikimin e listave përfundimtare në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të Projektligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, premtimet e tyre kanë qenë çdo herë të kota.
Veteranët e UÇK-së, kanë protestuar edhe të hënën për disa orë radhazi mirëpo kjo protestë u ndërpre për shkak të motit të keq që mbretëroi në vend dhe të reshurave të mëdha të shiut.
