Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë përsëri. Kështu së paku po lajmëron Drejtuesi i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi.
Përmes një shkrimi që ka publikuar në rrjetin social facebook Qeriqi thotë se kësaj here po kërkojnë që të fillojë aplikimi i nënshkrimit për të gjithë ata veteranë të cilët nuk kanë kontest të ankesave në listat e veteranëve.
“Bashkëluftëtar të nderuar, në pamundësi që tu përgjigjem të gjithëve, rreth interesimit tuaj, për punën e komisionit ju njoftoj se nuk kam asnjë informatë apo shpjegim se pse ky komision po heshtë. Krejt çka po mundem unë të kuptoj është se komisioni nuk po tregohet serioz në punën e tij. Duke e parë se nuk ka lëvizje në përfundimin e këtij procesi gati tre vjeçar, prej kur ka filluar dhe duke i parë kërkesat e juaja të vazhdueshme që tu bëjmë presion. Ju njoftoj se jemi duke u përgatitur për protestën e radhës për javën e ardhshme. Njoftimin e datës, vendit dhe orës ku do të mbahet protesta do ta bëjmë publik përmes mediave. Unë bashkë me këshillin organizativ jemi të gatshëm të paguajmë çdo çmim të mundshëm në këtë drejtim”, shkruan Qeriqi në facebook.
Qeriqi shkruan tutje se ‘Duke u bazuar në protestën e 20 qershorit e di se do të kemi një sfidë të re, por duhet të qëndrojmë këmbëngulës në parimet dhe kërkesat tona. Protesta do të jetë e qetë, nga ana e ynë, por duhet ta kuptojnë të gjithë se nuk do të lejojmë në asnjë moment të luajnë askush me identitetin tonë dhe çdo presion apo provokim, nga ana e tyre do të jetë i papranueshëm për ne, këtë le ta kuptojnë të gjithë. Ne po kërkojmë një të drejt ligjore që na takon, e fatkeqësisht kjo e drejt po na mohohet plot 16 vite nga institucionet tona’
