Numri i dukurisë së abortit është në rënie e sipër, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë pranë QKUK, Myrvete Paçarada tregon se arsyet që kanë ndikuar në rënien e numrin kanë qenë të ndryshme.
Paçarada thotë se informimi i mirëfilltë që është duke u bërë vitet e fundit dhe rritja e interesimit të femrave në përgjithësi rreth pasojave të abortit ka luajtur një rol të rëndësishëm në planifikimin familjar për të zvogëluar numrin e aborteve.
Nëse marrim parasysh numrin e lindjeve dhe aborteve për vitin e kaluar, del që raporti i lindjeve dhe aborteve është 80:1, respektivisht në çdo 80 lindje kemi 1 rast të abortit.
Sipas ligjeve në fuqi, aborti lejohet deri në javën e 10-të, prej javës së 10-të deri në të 12-ën ekziston një komision i shkallës së parë që lejon abortet në rastet e jashtëzakonshme. Ndërkaq, ekziston një kategori tjetër që lejon abortin deri në javën e 22-të, edhe atë vetëm në rastet kur është e rrezikuar nëna apo të metat e frytit rrezikojnë jetën e nënës.
