Nisi sot viti i ri shkollor 2015-2016. Si dita e parë e shkollës, kjo e hënë ishte më shumë një festë se sa një ditë mësimi, me urimet më të dashura për nxënësit dhe mësuesit. Kudo nëpër rrugë dhe oborre shkollash ndihej një atmosferë gëzimi ku dëgjoheshin bisedat dhe të qeshurat e fëmijëve, që vijojnë rrugën e gjatë të dijes.
Krerët e shtetit zgjodhën disa shkolla të veçanta për të përcjellë urimet dhe mesazhet e tyre për një vit shkollor sa më të mbarë.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa i kanë inkurajuar për rezultate më të larta në mësime.
Nga oborri i shkollës “Sami Frashëri” në kryeqytet, kryeministri Edi Rama tha se shkollat shqiptare po transformohen rrënjësisht që nga tekstet shkollore e deri të infrastruktura.
Me këtë rast edhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencave ka uruar të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë. Duke iu drejtuar nxënësve Nikolla tha se po punohet fort që ata të përballen me sfidat e së ardhmes dhe të jenë të barabartë me bashkëkohësit, në vendet më të përparuara.
Nikolla shtoi se qeveria ia doli të heqë nga duart e nxënësve shqiptarë 600 tituj tekstesh shkollore me probleme. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj zgjodhi sot gjimnazin “Ismail Qemali” për të uruar të gjithë nxënësit shqiptarë për vitin e ri shkollor.
Veliaj i inkurajoi gjimnazistët për të arritur rezultatet të larta, si dhe i ftoi të jenë pjesë e punëve komunitare. Veliaj më tej premtoi se do t’i propozonte Këshillit Bashkiak kthimin e bursave për nxënësit me rezultate më të mira.
Edhe kryedemokrati Basha ka zgjedhur rrjetin social Facebook, për të uruar vitin e ri shkollor 2015-2016. Në emër të forcës politike që përfaqëson Basha iu uroi të gjithë nxënësve një fillim sa më të mbarë.
“Partia Demokratike iu uron të gjithë nxënësve dhe mësuesve fillim të mbarë të vitit të ri shkollor”.
Vetë nxënësit u shprehën të kënaqur për nisjen e shkollës, ndërsa thanë se mungojnë disa tekste librash, si kimia dhe biologjia e vitit të dytë, historia apo letërsia. Po ashtu edhe kostoja e librave nuk është e lirë për prindërit shqiptar, pasi varion sipas klasave nga 2 mijë lekë deri në 4 mijë lekë të reja për një fëmijë (15 euro deri në 35 euro).
Në total sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit janë rreth 490 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm që nisën sot vitin e ri shkollor 2015-2016, ndërsa 30 mijë vogëlushë do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Po sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë 18 shkolla të reja të përfunduara, që do të shfrytëzohen për vitin e ri shkollor. Megjithatë, në kryeqy tet mësimi do të vijojë të zhvillohet me turne, duke mos zgjidhur problematikën shumëvjeçare. Ndërkaq, sipas këtij dikasteri, ky vit shkollor do t’i presë nxënësit me më shumë terrene sportive e laboratorë, që do të garantojnë cilësinë e mësimdhënies.
