VV: Rigjykimi i Mujës, kapitullim i drejtësisë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Vendimi i Gjykatës së Apelit për kthimin e rastit të Ramadan Mujës në rigjykim, për Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të quhet ndryshe pos instrumentalizim i drejtësisë në shërbim të agjendës politike të pushtetit.
“Përpos që ka dëmtuar interesin publik duke i dhënë mundësi të re shkelësve të ligjit, Gjykata e Apelit me këtë rast ka shkelur parimet themelore të drejtësisë, atë të racionalitetit të procedurës duke e zgjatur tej mase kohën e marrjes së vendimit dhe parimin e pavarësisë së gjykatave duke lejuar ndërhyrje nga jashtë”, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizje.
Vetëvendosje konsideron se ky rast është tregues më i qartë për kapjen e shtetit në të gjitha segmentet e saj. Ndonëse pushtet i ndarë dhe me garanci kushtetuese për funksionim të pavarur, pushteti gjyqësor tashmë është kthyer në mburojë që ia siguron vazhdimësinë e pushtetit kriminal PDK-së.
“Mosmarrja pjesë e prokurorit të rastit dhe papërgjegjësia e trupit gjykues në shqyrtimin e fundit, ishin tregues të qartë për përmbajtjen e vendimit. Në të vërtetë, gjatë gjithë rrjedhës së procedurës , objekt gjykimi në këtë instancë nuk ishte aspak aktgjykimi i shkallës së parë, por dilema se a duhet të shkojë Komuna e Prizrenit në zgjedhje të parakohshme apo jo”, thuhet më tutje në këtë komunikatë.
Vetëvendosje konsideron se krimi, kriminaliteti dhe korrupsioni në sferën publike në Kosovë nuk janë raste të izoluara, por pasojë sistemike e një mentaliteti qeverisës kriminal.
“Siç dëshmon edhe ky rast, kjo gangrenë tashmë ka prekur të gjitha instancat e shtetit dhe dalja e vetme nga kjo situatë mbetet vetëm angazhimi i drejtpërdrejtë qytetarë për ndryshime demokratike në vend”, thuhet në fund të komunikatës së VV-së.