Edhe Zyra e Bashkimit Evropian mirëpret vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me formimin e Gjykatës Speciale.
Sipas një komunikate nga zyra e BE-së në Kosovë përfaqësuesi special i BE-së Samuel Zbogar inkurajon të gjithë aktorët e përfshirë që ta trajtojnë themelimin e Dhomave të Specializuara si prioritet në interesin e Kosovës.
“Është e rëndësishme që Kosova të ndjek angazhimin e vet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2014, dhe të vazhdojë përpjekjet për t’i themeluar Dhomat e Specializuara”, thuhet në komunikatë.
Sipas zyrës së BE-së sigurimi i një mjedisi të qetë ku mund të mbahet një proces gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm është e vetmja mënyrë për t’i adresuar akuzat serioze.
“Dhomat e Specializuara nuk do ta rishkruajnë historinë as nuk do ta gjykojnë atë, por do të kërkojnë të përcaktojnë drejtësi dhe përgjegjësi për çfarëdo vepre penale individuale”, thuhet në njoftim.
