Zbulohet plani i Hungarisë për ndaljen e refugjatëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Gazetarja Kata Janesko ka zbuluar planin e Qeverisë së Hungarisë për krijimin e një sistemi të mbyllur hermetikisht, i cili do të pamundësonte hyrjen e refugjatëve në vend.
Sipas tekstit të Janeskos, të publikuar në disa portale hungareze, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, planifikon që gjatë kësaj jave të zbatojë dy gjëra.
E para është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, përkundër faktit se kjo do të shtojë kritikat, me të cilat po përballët Budapesti për shkak të qëndrimit ndaj refugjatëve.
Pjesa e dytë e planit, i cili sipas Janeskos do të fillojë të zbatohet duke filluar nga nesër, është modifikimi i kodit penal, në bazë të së cilit policia hungareze do të merrte kompetenca ligjore që të dëbojë nga kufijtë të gjithë ata, të cilët nuk kanë viza Shengen, duke i kthyer në vendet prej nga kanë hyrë në Hungari, pra në këtë rast në Serbi. Nëse refugjatët arrijnë të hyjnë ilegalisht në Hungari, ata automatikisht do të cilësohen si shkelës të ligjit. Ata do të dërgohen në kampe të caktuar dhe brenda tetë ditësh do të përballen me proces gjyqësor. Sipas ligjit të ri hungarez, i cili në thelb bie ndesh me ligjet e Bashkimit Evropian, refugjatët të cilët trajtohen si të akuzuar në proces gjyqësor do të shkojnë pa përkthyes. Me këtë rast nuk do të përkthehet as akuza me të cilën ngarkohen, e as vendimi i gjykatës. As refugjatët e mitur nuk do të kenë trajtim të veçantë, por do të gjykohen sikurse edhe të rriturit. Ankesat e refugjatëve do të refuzohen brenda disa orëve.
Ligji i ri hungarez do të bëjë që secili refugjat të ngarkohet me dosje penale, do të dëbohen si persona që kanë bërë vepër penale, gjë që automatikisht do t’iu pamundësojë atyre që për 10 vjet të hyjnë në shtetet anëtare të zonës Shengen./21Media