Zbulon varrin e stërgjyshit pas 105 viteve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ky varr i cili njihet me emrin “Varri i Arllatit” ka më shumë se 100 vite që gjendet në Bjeshkët e Rancit të Caralevës së komunës së Shtimes dhe deri më tani nuk është ditur se kujt i takon.

Madje edhe vet emrin “Varri i Arllatit” nuk dihet saktë se nga e ka marrë. Këtë nuk e dinë as vetë banorët e këtij fshati, që për ta gjatë tërë këtyre viteve ka qenë një mister se i kujt është ky varrë.
Por, tani plotë 105 vite pas, siç duket kjo enigmë ka marrë fund. Murat Bujupi nga fshati Arllat i Drenasit, pretendon se ky varr i takon stërgjyshit të tij, Sherif Bujupit, madje ai me të gjetur këtë varrë ka vendosur shenja identifikuese me emrin e të ndjerit përmbi, në mënyrë që të mos humbet më.
Murat Bujupi tregon për historitë që i ka dëgjuar nga të parët ku thuhet se Sherif Bujupi në vitin 1910 ka qenë i thirrur nga Isa Boletini të marrë pjesë në një luftë kundër ushtrisë turke në bjeshkët e Caralevës, ku ka rënë dëshmorë. Me këtë rast, bashkëluftëtarët e tij e kanë varrosur atë 100 metra më poshtë vendit të fushëbetejës me qëllim që të humbin gjurmët e tij dhe të mos e gjejnë Turqit.
Që nga atëherë familja Bujupi e ka konsideruar si të zhdukur Sherifin, por asnjëherë nuk kanë reshtur së kërkuari eshtrat e tij.
Murati tregon se deri tek ky zbulim ka ardhur pasi ka lexuar librin “Monografi e Caralevës” të veteranit të arsimit Bajram Bajramit, ku shkruhet edhe për ekzistencën e “Varrit të Arllatit” dhe disa fakte mbi të.
Edhe pse nuk i është bërë ende ADN-ja, eshtrave që gjinden në këtë varr, Murati është i bindur plotësisht se në bazë të të dhënave që posedon, ky varr është i stërgjyshit të tij.
Tani ai e ka hallin se si t’i zhvendos eshtrat në fshatin tyre, pa e bërë ADN. Ai tregoi se ka kontaktuar me Mjekësinë Ligjore në Prishtinë por përgjigjja e tyre ka qenë se ata nuk bëjnë ADN të eshtrave që kanë vjetërsi aq të lartë.
Por drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se ky departament kryen punë vetëm për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërsa, për raste më të vjetra nuk kanë fondacione.
Në këto raste, familjarët sipas Gërxhaliut duhet të bëjnë analiza jashtë vendit me vetëfinancim, sepse Departamenti i Mjekësisë Ligjore nuk ka ndonjë interes të krijoj fonde për raste të tilla.
Tek e fundit, sipas tij, pasi që ata janë shumë të sigurt që janë eshtrat e tij, ata do e bëjnë rivarrimin në varrezat e fshatit Arllat edhe pa një analizë të tillë dhe pa ndonjë ceremoni.