Shefi i Klinikës Infektive në QAKUK , Hamdi Ramadani thotë se personat e pickuar nga rriqrat që kërkuan ndihmë në infektive, ishin të viseve të ndryshme por numri më i madh ishte nga Malisheva dhe Rahoveci. Por fatmirësisht asnjë nuk arriti të preket nga sëmundja e etheve hemorragjike.
“Deri në këtë moment situatën e kemi të mirë dhe asnjë rast nuk është shënuar me sëmundjen e etheve hemorragjike në nivel të klinikës”, thotë Ramadani.
Që nga shfaqja e rasteve me pickim të rriqrave, në Klinikën Infektive kanë qenë të shtrirë 20 pacientë që kanë manifestuar simptoma të përafërta me sëmundjen e etheve hemorragjike. Pas trajtimit të tyre në klinikë ka dalë që ata janë pa shenja të kësaj sëmundje. E numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë, arrin në 365.
“Në klinikën tonë deri më tash kemi një mori të rasteve të thumbuara nga pickimi me rriqrat. Nga fundi i muajit mars, e deri më sot në ambulancën tonë janë mbi 365 raste të pickuar me rriqra, të viseve të ndryshme, edhe të Prishtinës edhe jashtë Prishtinës, por të cilët kanë manifestuar vetëm me sëmundjen e pickimit të rriqrave”, thotë ai.
Ramadani thotë se gjendja është dukshëm më e mirë se vitet e kaluara. Sipas tij, gjenden para një situate të mirë që kjo sëmundje të bie ose të zvogëlohet dukshëm. Megjithatë, thotë se kapaciteti në klinikë është maksimal, dhe se posedojnë medikamente të mjaftueshme për raste të tilla.
Hulumtimet epidiologjike në nivel vendi kanë treguar se nëse deri më datë 25 të këtij muaji nuk shfaqen raste të prekura nga kjo sëmundje, atëherë për muajt në vazhdim, transmeton kp pra korrik e gusht, gjasat që njerëzit të preken nga kjo sëmundje janë shumë të vogla.
Në zonat e identifikuara me rriqra, që kryesisht janë Malisheva, Rahovesi, Suhareka e Klina, është kryer një fazë e spërkatjes në mënyrë që të parandalohen rastet e sëmundjes së etheve hemorragjike.
Vetëm gjatë 2013-ës nga ethet hemorragjike kanë vdekur 11 persona, derisa numri i pickimit nga rriqrat kishte arritë mbi 5 mijë qytetarë. Malisheva është zona, banorët e së cilës, janë prekur më së shumti nga ethet hemorragjike. Prej vitit 2000 e deri tani, janë 18 qytetarë të kësaj zone që kanë vdekur nga ethet hemorragjike.
