Për herë të parë trupa teatrale e Preshevës vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe këtë e bën me komedinë “Jashtë bie borë”, të cilën para publikut tiranas do ta shfaqë sonte.
Për t’u njohur më mirë me këtë komedi, subjektin dhe mesazhin që ajo dëshiron të përcjellë, aktorët dhe regjisorët e saj dhanë sot në Tiranë një konferencë për shtyp.
“Jashtë bie borë” është një groteskë dhe bën fjalë për bashkëjetesën e detyruar të tre vëllezërve: Cico, Enzo, Stefano, kurse protagonisti Cico, është një i sëmurë mendor. Një vëzhgues sipërfaqësor mund të mendojë se Cico është një budalla i shkretë: i paaftë për veten e tij, plotësisht i ndarë nga realiteti. Përkundrazi ai është një vëzhgues i mprehtë i realitetit që e rrethon, një zgjidhës gjenial i situatave të vështira, një person tallës i retorikës dhe i hipokrizisë njerëzore, pra një hero i ndryshëm.
