Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot do të mbledhet në ora 11:00, ndërsa në agjendë nuk janë edhe amendamentet për Gjykatën Speciale.
Si pikë e rendit të ditës për seancën e radhës është paraparë interpelanca e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, pastaj shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, zgjedhja e Avokatit të Popullit, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për patenta, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare.
Po ashtu, është paraparë të flitet për shqyrtimin e parë të projektligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit, shqyrtimin e propozim-vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit
për dhënien e provimit të jurisprudencës, emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, shqyrtimin e raportit vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014, si dhe formimin e komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
