Kuvendi i shtatë zgjedhorë i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, zgjodhi sot kryetarin e saj të ri, Avni Arifin.
Arifi, i cili ishte kandidati i vetëm i kësaj dege, u zgjodh unanimisht në mënyrë të hapur nga pjesëmarrësit e këtij kuvendi.
Me këtë rast, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij ka për qëllim që të planifikoj politika të mira dhe t’i zbatoj vendimet e marra. Përndryshe, sipas tij, nëse nuk ka këso planifikime, një parti nuk do të ketë sukses as gjatë qeverisjes, siç është duke ndodhur edhe tani në Kosovë.
Ai, po ashtu përkrahu kryetarin e ri të kësaj dege, duke u shpreh i bindur se ai do të punoj shumë në mënyrë që këtë degë ta qoj edhe më përpara.
E kryetari i sapozgjedhur i Degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, tha se ai do të punoj në atë mënyrë që shumë shpejt çdo lagje dhe fshat i Prishtinës të ketë nga një degë të AAK-së. Me këtë, sipas tij, ata do të jenë sa më afër qytetarëve dhe do të arrijnë t’i njohin më mirë problemet e tyre.
Ai shtoi se ka hyrë në këtë kandidaturë me një besim të plotë që të arrijë një rezultat i cili është në përputhje me vizionin e AAK-së.
Besnik Tahiri, ish-kryetar i kësaj dege, tha se ai ka vendosur që të pauzoj nga zgjedhjet e Degës, duke theksuar se do të vazhdoj të jap kontributin e tij në AAK në fusha të tjera.
