Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian kritikoi të enjten udhëheqësit politikë të Maqedonisë pas dështimit të bisedimeve të së mërkurës në Bruksel, ndërsa kryeministri dhe kreu i opozitës së vendit ballkanik, fajësuan njëri-tjetrin.
“Shumë i zhgënjyer nga mungesa e përgjegjësisë dhe aftësisë udhëheqëse të disave”, shkruante në Twitter Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn pasi drejtoi 12 orë bisedime mes udhëheqësve të katër partive më të mëdha në Maqedoni që u mbyllën pak para mesnatës të mërkurën.
Bisedimet nuk arritën të sjellin një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund krizës politike që filloi me bërjen publike të bisedave të përgjuara. Kriza ka shkaktuar frikën për paqendrueshmëri në vendin që pothuajse u përfshi në luftë civile në vitin 2001.
“Qytetarët meritojnë më shumë: Demokraci, shtet ligjor dhe një të ardhme evropiane”, tha Hahn.
Por në Shkup, dështim i bisedimeve u konsiderua edhe si dështim i përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe vetë komisionerit, i cili ishte vënë në rolin e ndërmjetësit midis palëve.
Çfarë përmbante propozimi për kompromis?
Takimi në Bruksel kishte si synim përcaktimin e detajeve të një marrëveshjeje të arritur më 2 qershor për zgjedhje të parakohëshme deri në fund të prillit 2016.
Sipas një propozimi për kompromis që u diskutua të mërkurën, një zëvendës kryeministër, një figure me peshë propozuar nga opozita, do të emërohej për organizimin e zgjedhjeve, sipas një burimi pranë negociatave, cituar nga agjencia Reuters.
Zëvendës kryeministri aktual do të drejtonte zbatimin e reformave për financimin e partive dhe çështje të tjera.
Në një kohë të përshtatshme, parlamenti do të shpërndahej dhe do të shpallte zgjedhje brenda 60 ditësh. Kryeministri konservator Nikola Gruevski që është në pushtet prej nëntë vjetësh do të jepte dorëheqjen para zgjedhjeve.
