Dëshmitari rrëfen për situata të tmerrshme në seancën e kundër Ivanoviqit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në seancën gjyqësore kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 dhe 2000 në veri të Mitrovicës, të martën ka dëshmuar Edmond Boshnjaku, i cili tha se natën e 3 shkurtit të vitit 2000 ka qenë me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët tek vjehrra në veri të qytetit.
Sipas tij, atë natë rreth orës 19:00 numër i madh serbësh po tuboheshin afër shkollës teknike.
“Kam dëgjuar në ato momente nga serbët që po vraponin për t’iu bashkëngjitur turmës, se një bombë ishte hedhur në njërën prej kafiterive të veriut, mirëpo gjithçka ishte e sajuar, vetëm sa për pretekst për t’i dëbuar shqiptarët nga ajo pjesë”, ka thënë mes tjerash Boshnjaku.
Ai shtoi se një pjesë e njerëzve nga turma kanë hyrë në ndërtesën ku ishte ai atë natë dhe duke kërcënuar se do të hedhin bomba nëpër banesa kanë kërkuar që t’i hapin dyert.
“Kam dëgjuar të shtëna armësh, pastaj shpërthime granatash, ndërsa më vonë kemi kuptuar se një grua plakë që jetonte në të njëjtën ndërtesë ishte vrarë”, tha dëshmitari.
Ai ka sqaruar se grupe njerëzish që flisnin në serbishte pasi janë ngjitur deri në katin më të lartë të ndërtesës, kan ë filluar të zbresin me vrap teposhtë duke bërtitur “ikni se kanë armë”.
“Situata të tilla të tmerrshme çfarë kanë ndodhur atë natë mund të shihen vetëm nëpër filma, ndërsa jemi sulmuar veç se kemi qenë shqiptarë dhe asgjë tjetër”, theksoi mes tjerash Boshnjaku.
Ai tha se Oliver Ivanoviqin e njeh shumë mirë sepse ishte fqiu i tij i parë, dhe një kohë e kishin quajtur “vëlla” njëri tjetrin, por nuk e kishte parë gjatë ngjarjeve të asaj nate, përveç se kur ka ardhur në ndërtesë atë natë për pak minuta bashkë me një ushtarak të KFOR-it.
Mirëpo, shtoi dëshmitari, Oliverin e kishte parë shumë herë tek ura e Ibrit me të ashtuquajturat ‘rrojat e urës’ të cilët maltretonin shqiptarët që dëshironin të ktheheshin në veri të qytetit.
Ai potencoi se Oliverin nuk e kishte parë asnjëherë duke maltretuar, por të tjerët që ishin pjesë e këtij grupi po.
Boshnjaku ka përmendur një rast kur kishte shkuar menjëherë pas lufte për të kërkuar ndihmë nga Oliver Ivanoviq dhe Çula Jovanoviq që të lejojnë kalimin nga jugu në veri të nënës dhe vëllait të tij të cilët ishin kthyer nga Tetova, por ata nuk i kishin dalë në ndihmë.
Seanca e radhës pritet të vazhdojë të mërkurën.