Banorët e Komogllavës së Ferizajt, tash e pas do t’i kenë shërbimet shëndetësore edhe më afër, kjo pasi që sot është bërë përurimi i një ambulante.
Banorët janë shprehur të gëzuar për këto shërbime pasi që me hapjen e kësaj qendre atyre do t’u ofrohen edhe shërbimet e stomatologut.
Për të përuruar këtë qendër i pranishëm ishte edhe kryetari i kësaj komune Muharrem Svarqa, i cili i uroi banorët duke treguar se ky investim i ka kushtuar komunës së Ferizajt 100 mijë euro.
Svarqa tha se hapja e kësaj qendre mjekësore jo vetëm që do ketë staf të kompletuar dhe të ofroi shërbime shëndetësor, por do të krijojë edhe parakushte për vizita specialistike në të ardhmen.
Banorët i përgëzoi edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komune Burim Karameta dhe mjeku dhe anesteziologu Nehat Baftiu, i cili tha se ka kohë që ka ëndërruar në ndërtimin e një qendre të tillë, sepse si fshat e ka merituar, por edhe ka kuadro të mjaftueshme.
Me këtë rast u ndanë edhe shumë mirënjohje për ata që kontribuuan në shëndetësinë e kësaj ane.
