Disa anëtarë të qeverisë së majtë në Greqi pretendohet se janë duke përgatitur skenarin për kthimin e valutës së vjetër, drahmit, gjë që po thellon edhe më tepër përçarjet në radhët e partisë në pushtet, Siriza, pikërisht në momentin kur kanë filluar negociatat për pakon e re të ndihmave financiare për Athinën.
Hyrja në trezorin e Bankës Qendrore dhe sulmi kibernetik kundër administratës tatimore ishte plani i disa pjesëtarëve të Sirizas, me qëllim të nxjerrjes së Greqisë nga euro dhe kthimit të drahmit.
Ish-ministri i Financave, Janis Varufakis, qysh më herët ka pranuar se ky plan i ishte dorëzuar Qeverisë për vlerësim, por ai u refuzuan nga Kryeministri Aleksis Cipras, pasi që u vlerësua si tejet i rrezikshëm./21 MEDIA/
