Parlamenti grek ka miratuar me 230 vota pro paketën e dytë të reformave.
Pas debateve të gjata, në orët e para të së enjtes, ligjvënësit grek kanë rënë dakord për ti dhënë ‘dritën jeshile’ vazhdimit të negociatave me BE-në për paketën e tretë të ndihmës prej 86 miliardë euro. Kundër miratimit të paketës në parlament votuan 63 deputetë, ndërsa 5 të tjerë abstenuan.
Ndërsa në Parlament diskutohej për paketën e reformave, në sheshin Sintagma ishin mbledhur qindra protestues që bënin thirrje kundër miratimit të paketës.
Masat e reja të miratuara në parlament përfshijnë një reformë në drejtësinë civile, riforcimin e likuiditeteve të bankave në vend, si dhe përshpejtimin e procedurave të shitjeve në ankand.
