Age Koçeku, gruaja që banon në ndërtesën ku mendohej se u fsheh Sokol Mjacaj, autori i vrasjes së dy turistëve çek rrëfen takimin me vrasësin.
Sipas saj, 20-vjeçari shkoi në banesën ku ajo jeton dhe i kërkoi asaj telefonin celular që të komunikonte me Policinë për kushtet e dorëzimit. Age Koçeku tregon se Mjacaj ishte mjaft i qetë dhe i paarmatosur, ndërsa nuk i tregoi asaj asgjë lidhur me krimin që kishte bërë.
“Kërkoi telefonin që të fliste me policinë. Ishte shumë i qetë dhe shihte televizor. Kishte vetëm një biçak me vete. Nuk foli asgjë rreth vrasjes”, ka thënë ajo për “News 24”.
Gjithashtu Koçeku tregon se i kërkoi atij që të dorëzohej, pasi e njohu se ishte vrasësi. Por Mjacaj i kishte kthyer përgjigje se ishte i paarmatosur dhe se nuk do t’i hapte telashe. Ajo tregon se në momentin e dorëzimit doli bashkë me autorin e vrasjes, pasi ai kishte frikë se mos e vriste Policia. “Më kërkoi të dilnim bashkë kur erdhi Policia se kishte frikë se mos e vrisnin dhe kështu bëmë”, tregon ajo.
