Hetime kundër Hillari Klintonit?

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në aferën rreth përdorimit të adresës së saj private të e-majllit, gjatë kohës sa ishte sekretare amerikane e shtetit, Hillari Klinton mund të përballet me kokëçarje të reja. Dy prokurorë kanë paraqitur kërkesën në ministrinë e Drejtësisë, për të nisur hetimet kundër saj, shkroi gazeta Nju Jork Tajms, duke cituar zyrtar të lartë të qeverisë.
Sipas gazetës, kandidatja e demokratëve për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dyshohet se nuk ka trajtuar në mënyrë korrekte informatat e ndjeshme të qeverisë. Klinton në vazhdimësi ka mohuar se ka dërguar apo ka pranuar informata të tilla nëpërmjet adresës së saj private të e-mejllit.
Në mars u bë publik lajmi se Klinton, gjatë kohës sa ka qenë sekretare e shtetit, ka përdorur e-mejllin e saj privat për komunikim gjatë ushtrimit të funksionit. Rreth 55 mijë faqe të e-mejllave të Klintonit janë në dispozicion të ministrisë së Jashtme dhe vlerësimi i tyre pritet të kryhet në janar të vitit të ardhshëm.
Republikanët kanë akuzuar Klintonin se ka fshehur përmbajtjen e e-mejllave, që ndërlidheshin me sulmin kundër konsullatës amerikane në qytetin Bengazi, në Libi, në vitin 2012. Një Komision Parlamentar është duke hetuar aktualisht sulmin në Bengazi, në të cilin u vranë ambasadori amerikan, Kris Stivens dhe tre bashkëpunëtorë të tij.