Jeta nën flamurin e Shtetit Islamik

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kanali televiziv britanik, BBC, ka emetuar një seri të xhirimeve të fshehta, të cilat paraqesin jetën në qytetin e Mosulit, qytet ky në Irak nën kontrollin e pjesëtarëve të Shtetit islamik.
Korrespondenti i BBC-së, Gadi Sari, ka xhiruar pamje të shkatërrimit të xhamive, të shkollave të braktisura dhe të femrave, të cilët po detyrohen nga meshkujt që të mbulojnë në tërësi trupat e tyre.
Banorët e Mosulit i rrëfyen atij se jetojnë në frikë nga dënimet, pasi që Shteti Islamik ka imponuar sheriatin.
Një banore e Mosulit i tha Sarit se islamistët janë tejet të ashpër, kur bëhet fjalë për mbulimin e femrave dhe se ato në çdo moment duhet të jenë në tërësi të mbuluara, ngase mund të ndalën nga të ashtuquajturit inspektorë të Shtetit Islamik.
Para disa muajve në medie janë shfaqur fotografitë e kishave të shkatërruara në qytet. Sari u bind edhe vetë se xhihadistët po tentojnë që në çdo mënyrë të shkatërrojnë kulturën e krishtere dhe një nga metodat që po përdoret shpesh është edhe djegia e librave.
Krahas shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, islamistët ishin të pamëshirshëm edhe ndaj myslimanëve, të cilët nuk deshën të pranojnë pushtetin e tyre.
Banorët e Mosulit rrëfyen se me të marrë pushtetin, Shteti Islamik filloi me dënimet masive, duke filluar nga prerja e duarve, hedhja e njerëzve nga ndërtesat e larta dhe vrasja e femrave me gurë.
Sheriati ndikoi edhe në ndryshimin e mënyrës së jetës. Në Mosul nuk është lehtë të gjesh karburant, mbeturinat gjenden kudo përreth, ndërtesat janë shkatërruar si pasojë e luftimeve mes xhihadistëve dhe forcave qeveritare, ndërsa pjesa më e madhe e shkollave janë të mbyllura./21Media/