Këshilli Prokurorial i Kosovës ka aprovuar dorëheqjen e Ehat Miftaraj nga pozita e drejtorit të Njësitit për vlerësim të performancës së prokurorëve. Ndërkohë, kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka caktuar për ushtrues të detyrës në këtë pozitë, Naser Hasanin.
Anëtarët e KPK-së, themeluan po ashtu komisionin për rikonsiderim për prokurorë për integrimin e komunitetit jo shumicë-serb, në përbërje nga Teki Bokshi, Radica Milic dhe Claudio Pola.
Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial pas diskutimeve themeluan komisionin për rikonsiderim për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe komisionin për rikonsiderim për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Anëtarë të komisionit për ZKPSH u caktuan: Idain Ismailji, Jusuf Mejzini dhe Bedrije Alshiqi. Ndërkaq, në komisionin për PSRK-në anëtarë u caktuan Idain Ismailji, Laura Pula dhe Xhevdet Bislimi.
Po ashtu, u shqyrtua edhe paraqitja e dorëheqjes së Ehat Miftaraj, nga pozita e drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve. Para se të pranohet kjo dorëheqje me kërkesë të anëtarëve të KPK-së u ftua, prokurori Bahri Hyseni, kryetar i komisionit, të themeluar me vendim të KPK-së, i cili ka pasur për detyrë përgatitjen e opinionit ligjor lidhur me mandatin e drejtorit të sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe mandatin e drejtorit të Njësitit për vlerësim të performancës së prokurorëve, që të paraqes të gjeturat dhe rekomandimet e këtij komisioni.
Prokurori Hyseni, pasi bëri analizë të detajuar të të gjeturave për mandatin e drejtorit të Njësitit për vlerësim të performancës së prokurorëve, njoftoi se Komisioni i rekomandon KPK-së që të merr vendim për shpalljen e konkursit për këtë pozitë ose të përcaktohet për vazhdimin e mandatit edhe për tre vite, duke formuar paraprakisht një komision për vlerësimin e përformancës dhe pastaj në bazë të rekomandimeve të atij komisioni, KPK të vendos për vazhdim apo jo të kontratës së drejtorit të këtij njësiti, Ehat Miftaraj.
Këshilli Prokurorial i Kosovës pas diskutimeve të shumta ka apr ovuar edhe raportin vjetor të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2014.
Në fund të këtij takimi u diskutua edhe për përbërjen e re të KPK-së, në bazë të ndryshimeve të ligjit për KPK-në që hyn në fuqi më 1 janar 2016. Lidhur me këtë çështje u vendos që të mbahet takim i veçantë ku anëtarët e Këshillit Prokurorial do të diskutojnë dhe analizojnë ndryshimet e parapara me këtë ligj.
