Pas kërcënimeve disa ditore nga Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Korea e Veriut gjatë ditës së sotme ka marrë mbështetje nga Kina.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Yi nuk tregoi me gisht Korenë e Veriut, por lëshoi një paralajmërim që duket se i drejtohej Penianit.
“Çdo tentim apo përpjekje për të cenuar paqen në Gadishullin Korean apo sigurinë në Azinë Verilindore është e pajustifikuar dhe e padëshiruar”, tha Wang në një Forum në kryeqytetin e Kinës, ku binte në sy mungesa e përfaqësimit të Koresë së Veriut.
Takimi u mbajt për nder të 10 vjetorit të marrëveshjes për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut, edhe pse më herët këtë javë Peniani deklaroi se kompleksi i tij kryesor është kthyer dhe punon. Veriu përmes agjencisë së lajmeve KCNA gjithashtu ritheksoi “të drejtën sovrane” për të lançuar satelitë.
Shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara ndaluan Korenë e Veriut nga lançimi i raketave me rreze të gjata dhe nga testimet bërthamore,shkruan AA.
Por analistët kanë parashikuar provokim të madh nga ana e Veriut për të shënuar 70 vjetorin e themelimit të Partisë autoritare shtetërore të Punëtorëve më 10 tetor. Si një partner dhe aleat i hershëm i Penianit, Pekini zyrtar është parë si një lojtar kyç në përpjekjet diplomatike rajonale për të frenuar Korenë e Veriut, kurse ministri i jashtëm kinez e bëri të qartë se pritet nga Veriu që të veprojë.
