Dita ndërkombëtare kundër abuzimit dhe trafikimit me droga, në Kosovë po shënohet pa pasur numër të saktë të përdoruesve të substancave narkotike, por vetëm të rasteve të kapura nga ana e Policisë së Kosovës, të cilat krahasuar me vitin e kaluar, kanë shënuar rënie.
Për shkak të vetëdijesimit të qytetarëve, duke specifikuar rininë kosovare, po mbahen konferenca dhe aktivitete të ndryshme në këtë ditë, në mënyrë që të rritet vetëdijesimi i popullatës që përdorimi i narkotikëve paraqet probleme të shumta, të cilat edhe mund të përfundojnë me fatalitet.
Shefi i sektorit kundër krimit të organizuar në OSBE, John Corrigan, me këtë rast tha se përdorimi i narkotikëve është çështje komplekse. Sipas tij të gjithë mund të kontribuojnë në luftimin e këtij fenomeni global.
Ndërsa Shkodran Manaj nga Ministria e Punëve të Brendshme, tha se kjo ministri po përpiqet të eliminojë këto dukuri negative duke përdorur mekanizma institucional. Ai po ashtu tha se kapacitet e Policisë së Kosovës janë ngritur përmes ofrimit të trajnimeve, për arsye se është rritur numri i përdoruesve të narkotikëve.
Riza Shillova, nga Policia e Kosovës, tha se Kosova po shfrytëzohet si vend transit për kalimin e këtyre substancave për shkak të pozitës gjeostrategjike.
Me qëllim që të zvogëlohet sa më shumë numri i përdoruesve të narkotikëve, u kërkua që të ndërtohen raporte sa më të mira mes njerëzve përmes mesazheve sensibilizuese dhe veprimeve konrete në teren.
