Kush është fajtor për Srebrenicën

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në verën e vitit 1995, Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë të fshehtë vendosën të mos kryenin më sulme ajrore mbi caqet serbe. Nëse kjo nuk do kishte ndodhur, rënia e Srebrenicës dhe masakra e mëvonshme mund të ishte parandaluar.
Dokumente nga CIA amerikane zbulojnë bisedën mes ish-Presidentit francez, Jacques Chirac dhe atij të SHBA-ve, Bill Clinton, në lidhje me Srebrenicën.
Dy ditë pas rënies së Srebrenicës, Chirac në bisedën telefonike ka paralajmëruar Clinton-in se Franca nuk dëshiron të rrijë duarkryq dhe të jetë përgjegjëse për atë situatë, raporton “The Guardian” dokumentet e CIA-s.
“Rënia e Srebrenicës është një dështim i madh për OKB-në, NATO-n dhe të gjitha demokracitë”, i ka thënë Chirac Clinton-it.
Ai ka thënë se, Franca më nuk mund të rrijë dhe të shikojë se si, “serbët ndajnë meshkujt nga gratë, duke i dërguar gratë që të dhunohen dhe duke vrarë meshkuj, të cilët janë të aftë për ushtri”.
“Duhet të kthejmë situatën ashtu siç është e garantuar nga OKB-ja. Franca është e gatshme të dërgojë njësitë e veta në mision”, ka thënë Chirac.
Ai megjithatë ka thënë se nuk e di çfarë dëshirojnë britanikët
“Pyes nëse qëllimi i tyre është vetëm ta lëshojnë Gorazhden, sikurse holandezët që lëshuan Srebrenicën. Nuk dua që Franca të jetë fajtore për këtë situatë. E gjitha varet nëse SHBA-të do të jenë të gatshme, që të bashkëpunojë në ndalimin e pastrimit etnik apo vetëm do të ulemi të rrimë duarkryq, t’i lëmë njerëzit të vriten dhe ne të shkojmë në shtëpi. Nuk mund t’i lejojmë vetes që të jemi pjesëmarrës në këtë”, ka paralajmëruar ish-presidenti francez.
Sipas tij, qeveria boshnjake ka pasur në Gorazhde 9 mijë ushtarë të gatshëm për luftë dhe në Srebrenicë 3 mijë.
“Ata kanë shkuar pa mbështetje për luftë”, thotë Clinton, duke shtuar se Britania ka 300 trupa në Gorazhde, të cilat ndoshta do të jenë të gatshëm për të qëndruar atje.
Ai ka vlerësuar se, nëse diçka ndodhë në Gorazhde, ushtria serbe do të ndihet se e ka rrugën e hapur për në Sarajevë. Clinton megjithatë ia përcolli Chiracut se duhet të dijë se cili do të jetë angazhimi i vërtetë, nëse Franca vendos të marrë iniciativë në Srebrenicë, Zhepë dhe Gorazhde.
“Para se të sigurohemi për një sulm ajror duhet ta dini se, ai do t’i shkaktojë humbje të mëdha serbëve në fusha të caktuara. Unë do të konsultohem me këshilltarë ushtarakë, por ata janë shumë skeptik në lidhje me futjen e forcave me helikopter, veçanërisht në qoftë se boshnjakët nuk do të rezistojnë”, ka thënë Clinton.