Kuvendi: Opozita kundërshtoi miratimin e buxhetit të rishikuar

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar sot për rishikimin e buxhetit për vitin 2015. Përfaqësuesit e qeverisë kanë kërkuar të miratohet ky rishikim ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se për shkak të rishikimit të të hyrave dhe programeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar është dashur që të bëhen kursim prej 49 milion euro nga buxheti i Kosovës.
“ Pavarësisht këtyre kursimeve ne do të jemi në gjendje që të vazhdojmë të paguajmë deri në fund të vitit pa asnjë pengesë për pagat për përvojën e punës për të gjithë ata që marrin pagat nga sektori publik, për subvencionet për kategori të veçanta sociale dhe shoqëror, për furnizim të rregullt me barna si dhe material shpenzues për arsim, për siguri, për drejtësi dhe për institucione tjera”, tha ministri Hoti.
Kreu i ministrisë së Financave tha se të hyrat e përgjithshme buxhetore do të jenë 1 miliard e 535 milion euro.
“Ky parashikim është për 52 milionë euro më i ulët se sa parashikimi i buxhetit fillestar por është më i lartë krahasuar me realizimin e vitit 2014 për 14%”, theksoi Hoti.
Hoti tregoi se të hyrat nga dogana do të arrijnë në 946 milion euro që është rritje 90% krahasuar me realizimin e vitit 2014.
“Kemi paraparë edhe të hyra shtesë që nuk kanë qenë të parapara në buxhetin fillestar të buxhetit 2015. Ndërsa sa i përket shpenzimeve ato planifikohen të jen 1 miliard 644 milion euro, prej të cilave 33% janë për paga dhe mëditje, 13% për marrje dhe shërbime, 26% për subvencione dhe transfere dhe 28% për investime kapitale”, shpjegoi ministri.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Naser Osmani, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa tha se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e Kosovës është përgatitur duke u mbështetur në informata për gjashtëmujorin e parë në ekzekutim të buxhetit.
Rishikimin e këtij buxheti e kundërshtuan partitë opozitare. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se premtimet për punësim, arsim dhe bujqësi nuk janë futur në rishikim të buxhetit.
E deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha se me trendin e arritjes së vendeve në zhvillim Kosova është shumë larg.