Maqedoni: Kriza politike prodhon parti të reja

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kriza politike në Maqedoni ka nxjerrë në sipërfaqe parti të reja politike të cilat vlerësojnë se tani është momenti i duhur për imponimin e tyre si opsioni i tretë politik.
Kjo, në veçanti vjen në shprehje tek shqiptarët të cilët brenda një periudhe të shkurtër kanë nxjerr dy parti të reja dhe disa të tjera si fraksione të dala nga partitë ekzistuese, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Madje, lëvizja “Besa“ një subjekt i ri ka dal me propozimin për formimin e një këshilli mbipartiak opozitar që do të kishte si qëllim bashkimin e të gjitha partive të reja për të mposhtur, siç thuhet, “partitë kriminalizuara aktuale të cilat qëllim parësor në veprimtarinë e tyre kanë interesat personale“.
“Lëvizja “Besa“ i qaset kësaj iniciative me vullnet që të artikulohet dhe mobilizohet sa më fuqishëm zëri opozitar, pa pretendime të veçanta për përfitime të kujtdoqoftë.
Jemi në gjendje të bashkëpunojmë me secilin, kushdoqoftë ai, mjafton ta ketë këtë ideal dhe këtë dëshirë“, ka deklaruar Bilall Kasami, nga Lëvizja “Besa“.
Partitë aktuale BDI dhe PDSH kanë thënë se nuk i tremben konkurrencës partiake, por sipas tyre, lindja e partive të reja do të dëmtonte votën e elektoratit shqiptar pasi paraqitja e më shumë partive do të reflektohej në përfaqësimin me mandate në Kuvend.
Lëvizje të reja politike janë paraqitur edhe tek maqedonasit. Subjekt me karakter qytetar ka paralajmëruar ish kryetari i Shkupit, Trifun Kostovski, por edhe aktivistët e lëvizjes majtiste “Solidariteti“.
Zhvillimet e këtilla në skenën politike priten edhe në të ardhmen ndërkohë që vazhdojnë bisedimet mes partive për zbatimin e marrëveshjes politike që parasheh përgatitjen e terrenit për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill të vitit 20016. (REL)