Ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova po bëhet pjesë e aleancës globale dhe po synon që të transformohet nga një importues të resurseve të sigurisë dhe ushtarëve në NATO-s në një eksportuese të nismave për dialog dhe paqe dhe me dialog apo pa dialog në Bruksel, Kosova do të jetë anëtare e organizmave më të rëndësishëm.
Ai në konferencën e III të Ambasadorëve të Kosovës, me temën “Pozita e Republikës së Kosovës në raport me sfidat rajonale dhe globale”. Thaçi ka thënë se qëllimi i konferencës është të diskutohet se ku jemi si diplomaci, ku jemi si shtet dhe ku dëshirojmë të shkojmë në periudhën afat-mesme.
Hashim Thaçi tha se në fillim të vitit ua ka shpalosur disa fusha prioritare se ku do të fokusohemi më 2015 dhe 2016. Por, sipas tij, prioritet mbi të gjitha prioritetet e tjera, sivjet ka qenë nënshkrimi i MSA-së. “Kosova nuk e kërkon MSA-në si lëmoshë, por sepse e meriton. Kemi thelluar reformat e gjithmbarshme, kemi punuar në fushat e tregtisë dhe bujqësisë si prioritare për BE-në dhe kemi qenë maksimalisht të angazhuar në dialog me fqinj. Pra, ne sivjet do të hyjmë në proces formal të integrimit në Union Europian dhe tash e tutje edhe pritjet e diplomacisë kosovare ndryshojnë duke u fokusuar me aktivitete kah agjenda e Brukselit që nënkupton edhe forcimin e bashkëpunimit ndër-kufitar”, ka thënë Thaçi.
“Kosova sivjet është kthyer kah bota dhe është duke tentuar të bëhet faktor i barabartë në organizma të mëdhenj global”, ka thënë ai.
Për Kosovën më nuk do të folët në tavolinë pa prezencën tonë, i ka thënë Thaçi ambasadorëve të Kosovës.“Një nga një, kemi identifikuar organizatat dhe aty do të aplikojmë dhe aty do të kemi karrigen tonë si Republika e Kosovës. Me dialog apo pa dialog në Bruksel, Kosova do të jetë anëtare e organizmave më të rëndësishëm. Të jeni të sigurt se në mbi 20 takime me homologë që kam pasur sivjet, gjithkund kam kërkuar mbështetje që Kosova të ketë zërin e vet”, iu ka thënë Thaçi atyre.
Prioritet tjetër, sipas Thaçit është edhe integrimi në NATO.
Ambasadorëve të Kosovës, zëvendëskryeministri Thaçi iu ka thënë se sfida e tretë me të cilën përballet diplomacia kosovare është sfida globale. Aty ku tjerët na presin të kontribuojmë në paqe dhe stabilitet global. “Nuk mund të jemi të izoluar në këtë betejë në mes të mirës dhe së keqes, sepse kjo na prek edhe neve”, ka thënë Thaçi.
Po ashtu, Thaçi ka folur edhe për ekonominë e Kosovës. Ai ka thënë se pas një viti të bllokadës që ka dekurajuar shumë prej neve, sivjet jemi kthyer edhe kah ekonomia.
