Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e llogarive Qeveritare të Kosovës 2008 – 2014, ku thuhet se në vitin paraprak qeveria pati të hyra 1,349.5 milion euro, kurse rreth 1,512.1 milion euro ishte totali i shpenzimeve.
Sipas ASK-së, të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2014 ishin 1,349.5 milion Euro. Krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie prej 0.5% të të hyrave. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, që paraqesin 74% të totalit të të hyrave. Ndërsa, pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.
“Në vitin 2014 totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme ishte 1,512.1 milion Euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: pagat dhe mëditjet, me pjesëmarrje 32%; formimi i bruto kapitalit fiks, me pjesëmarrje 27%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 19%; konsumi i ndërmjetëm, me pjesëmarrje prej 12%; ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve”, thuhet në një komunikatë të ASK-së./21Media
