Qeveria ka planifikuar buxhet real, pako e re e fiskale nxit bizneset, nuk ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë për vendin, veteranët i kanë paratë e sigurta, këto ishin disa nga temat që i pari i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, i renditi sot para gazetarëve, në konferencë për media.
Kryeministri tha se qeverisja e tij i kanë dhënë prioritet ndryshimit të politikave fiskale dhe pakos së re fiskale, faljes së borxheve, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve për investime strategjike dhe ndërtimit të fondeve për zhvillim ekonomik. Kreu i Qeverisë foli edhe për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, për të cilat tha se nuk kanë energji elektrike të mjaftueshme për të prodhuar.
Shefi i ekzekutivit tha se me politikat e reja fiskale, kanë bërë që të nxiten bizneset dhe të balancohet konsumi familjar.
Sipas tij, ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, do të ndikoj në uljen e çmimeve të konsumit në disa produkte bazë, e po ashtu edhe në çmimin e energjisë elektrike.
“Kemi aprovuar një pako të re fiskale e cila nxit bizneset dhe po ashtu balancon kapacitetin e konsumit familjar. Përshkallëzimi me ligjin e TVSH-së mundëson normë të zvogëluar për 8 për qind për një numër të konsiderueshëm të mallrave dhe shërbimeve që konsiderohen bazike për konsumin e qytetarëve. Po ashtu ulja e TVSH-së në mënyrë direkte në uljen e çmimeve të produkteve dhe po ashtu do të ndikoj në çmimet e energjisë elektrike që do t’i paguajnë qytetarët tanë për pjesën e TVSH-së, se sa që kanë qenë më parë”, tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se me rishikimin e buxhetit kanë ulur parashikimin e buxhetit për 52 milionë, që është vlerësuar real edhe nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Buxheti është në vlerë prej 1 miliardë e 535 milionë euro. Kemi ulur parashikimin për buxhetin për 52 milionë euro, parashikim që është vlerësim real edhe nga ekspert tanë edhe nga ata të FMN0-së. Krahasuar me vitin e kaluar kemi të hyra me të larta prej 14 për qind, mirëpo krahasuar me objektivat e planit ne kemi realizuar që këto të hyra të jenë 7 për qind, mirëpo kemi ngecje në pikëpamje të objektivave që ne kemi parashikuar. Me anë të rishikimit dhe programin e FMN-së, ne kemi bërë një kursim prej 49 milionë euro”, tha ai.
Kryeministri Mustafa tha se kursimi ka të bëjë veçmas me shpenzimet rrjedhëse, përkatësisht me shpenzimet korente, mirëpo përkundër këtij kursimi do të arrijnë t’i përmbushin të gjitha detyrimet e investimeve kapitale, do t’i paguajnë me rregull pagat me përvojën e punës, investimet kapitale dhe të gjitha organizatave tjera.
Ndërsa i pyetur rreth mungesës së energjisë elektrike, kryeministri Mustafa ka pranuar se nuk kanë energji elektrike të mjaftueshme për të prodhuar.
“Ne do të mundohemi t`i mbajmë vitale kapacitetet ekzistuese të energjisë të cilat i kemi. Ne po punojmë me ngulmë që të ndërtojmë kapacitetet e Kosovës së Re që është një projekt prej 600 kilovat pori cili nuk mund të kryhet para vitit 2022 ose 2023. Ndërsa, po ashtu kemi një obligim që e kemi lënë të hapur me programin qeverisës se çfarë të bëjmë me Kosovën A, të mbyllet në vitin 2017 apo të vazhdojë edhe me tutje për arsye se ne nuk mund të mbesim pa energji elektrike. Ne kemi këtë pajtim për Kosovën e Re, por duhet po ashtu të negociojmë për Kosovën A, në qoftë se do të jemi të detyruar që këtë ta bëjmë. Ne nuk kemi energji elektrike të mjaftueshme për zhvillim ekonomik në të ardhmen dhe për nevoja të konsumatorëve, prandaj do të bëjmë përpjekje maksimale që të mos kemi vakume të mungesës së energjisë elektrike”, tha Mustafa.
Ndërsa, rreth heqjes së 6 milionë eurove nga fondi për implementimin e ligjit për veteranët, Mustafa tha se pavarësisht kësaj Qeveria do t’i kryej të gjitha obligimet ndaj kësaj kategorie. E, shpjegime për zvogëlimin e buxhetit, dha ministri i Financave Avdullah Hoti
“Unë jam në kontakt të rregullt me Agim Çekun, të cilit ia kam kthyer edhe një përgjigje me shkrim. Jam në kontakt edhe me kryetarin e Organizatës se Veteraneve të Luftës. Sapo të jetë lista finale, ne do të procedojmë në bazë të ligjit përkatës, i cili thotë se posa të jetë lista finale, Ministria e Financave në konsultim me Qeverinë e nxjerrë nivelin e pagesave për veteranët. Ka buxhet të mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë problem, por po e presim vetëm listën finale”, tha Hoti.
Mustafa tha se do të vazhdojnë me ndërtimin e autostradës për Sh kup, projekteve në hekurudhë dhe investime tjera kapitale.
