Në Prishtinë sot është hapur spitali i parë Ortopedik i quajtur “Royal Medical”, i cili ofron shërbime shëndetësore me standarde evropiane.
Në Prishtinë sot është hapur spitali i parë Ortopedik i quajtur “Royal Medical”, i cili ofron shërbime shëndetësore me standarde evropiane. Hapja solemne u bë sot nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, si dhe nga anëtarët e bordit të këtij spitali privat, Vinko Barishiq nga Kroacia dhe Amir Agani.
Qëllimi i ideatorëve, ishte themelimi i një spitali Ortopedik dhe i lëmive komplementare, i cili do të shërbente për kthimin e besimit të qytetarëve kosovarë për shëndetësinë kosovare.
Drejtori i spitalit “Royal Medical”, Lulzim Çelaj, është shprehur se qëllimi i hapjes së spitalit Ortopedik është që të ndalohet shkuarja e pacientëve të Kosovës për t’u shëruar jashtë vendit.
Synimi i spitalit, “Royal Medical” është që të bëhet shtëpi e ortopedëve, e neurokirurgëve dhe specialistëve të lëmive kirurgjike komplementare nga gjithë Kosova, regjioni përfshirë Kroacinë, Slloveninë dhe Evropën Perëndimore.
Spitali “Royal Medical” është investim privat i një grupi aksionarësh, ndërmarrësve nga Kosova dhe Kroacia, i cili ka filluar si projekt ideor që në fillim të vitit 2014-të. Spitali shtrihet në sipërfaqen prej 4100 metra katrorë, në tri kate, ku ofrohen të gjitha shërbimet për pacientët.
Spitali gjendet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, afër Klinikës Gjermane të Syrit.
Ndërkohë, në këtë spital janë të punësuar rreth 40 punëtorë nga Kosova dhe rajoni.
