Në Samitin e Vjenës diskutohet për autostradën Besi-Merdar-Nish

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kosova dhe Serbia në nivel kryeministrash përpos në Bruksel do të të jenë pjesë edhe e Samitit të Vjenës më 27 gusht me zyrtarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit pritet të diskutohet për ndërtimin dhe financimin e autostradës Besi-Merdare-Nish.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa pret mbështetje nga BE-ja për pjesën e autostradës nga Besia deri në deri në kufi.
Para samitit të Vjenës kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se ekziston disponimi që të financohet autostrada në pjesën nga Besia me mjete të Bashkimit Evropian, por sa do të jetë shuma nuk dihet
“Kemi përfunduar autostradën deri në Besi, mirëpo jemi tani në marrëveshje përmes projektit të infrastrukturës bazë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pjesën nga Besia deri në kufi të financohet mundësisht me mjete të Bashkimit Evropian. Po them mundësisht sepse ekziston disponimi, por sa do të jetë shuma, akoma nuk e kemi përfunduar”, tha kryeministri Mustafa.
Ne qarqe ekonomike vlerësojnë si të mirëseardhur vazhdimin e autostradës së kombit, mirëpo, sipas tyre në këtë rast më së shumti do të përfitojë Serbia.
Njohësi i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, thotë se Evropa është e fokusuar të shtyjë përpara projektet të cilat krijohen për një ndërlidhje, për një komunikim më të mirë dhe më miqësor në mes vendeve të rajonit. Thotë se autostrada nuk do të kishte kuptim, sikur të mos lidhej me korridoret evropiane. Thekson do të ishte e pakuptimtë po të mbetej vetëm në funksion të qarkullimit brenda shqiptarëve.
“Në këtë rast më shumë përfiton Serbia për shkak se ajo nuk ka lëviz drejt realizimit të këtij projekti dhe ka pritë reagimin e Evropës në mënyrë që financimi të mos mbetet tërësisht barrë e saj”, tha Rehxepi.
Hulumtuesi në Institutin GAP, Berat Thaçi, tek flet për Samitin e Vjenës dhe infrastrukturën në Ballkanin Perëndimor, thotë se do të përfitojnë më shumë shtetet e rajonit që kanë nivel më ta lartë të prodhimit, veçanërisht Serbia.
“Qëllimi ko nkret i këtij Samiti është përmirësimi i infrastrukturës për lidhje apo bashkëpunim në mes shteteve, në këtë rast si projekt specifik me të cilin është angazhuar Kosova është edhe pjesa e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku një pjesë e kësaj autostrade kalon në pjesën e Kosovës. Sa i për ketë përfitimeve, së pari pjesa më e madhe e rrugës është në Serbi.”, tha Thaçi.
“Përfitimin më të madh në këtë kuptim do ta kenë eksportet e shteteve prodhuese siç është Serbia. Në rastin e Kosovës prodhimi është shumë i ulët dhe përmirësimi i infrastrukturës nuk qon në ndonjë përmirësim real të gjendjes ekonomike të vendit”, tha Thaçi.
Për këtë projekt të autostradës janë të interesuar Serbia, Shqipëria, Kosova dhe BE-ja. Gjatësia e tërësishme e autostradës do të jetë 384 km, nga Nishi në Merdar 77 km dhe nga Merdar deri në Prishtinë 22 km. Serbia ka deklaruar se është e gatshme t’i japë 350 milionë euro për pjesën serbe të autostradës e cila do të kushtonte 600 – 650 milionë, e nga BE do të kërkojë edhe 300 milion euro. Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliardë euro për autostradën e ndërtuar deri me tani.