Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) nisi sot manifestimet dyditore me rastin e “Ditës së Avokatisë”, me të cilat njëkohësisht shënohet edhe 42-vjetori i themelimit të OAK-së.
Pas ceremonisë së hapjes dhe konferencës me temë “Problemet e avokatisë në raport me noterinë dhe ligjin e procedurës kontestimore”, sot, në ditën e parë të manifestimit, u mbajt edhe një mbledhje e PECO Komitetit të Këshilli i Odave të Avokatëve të Evropës (CCBE).
Të pranishëm në mbledhje, ndër të tjerët, ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës Sali Mekaj, përfaqësues nga CCBE, avokatë, juristë e tjerë.
Përfaqësuesi i Këshillit të Odës së Avokatëve të Evropës, Ranko Peliqariq, e vlerësoi gjendjen e avokatisë në Kosovë si dhe i cilësoi marrëdhëniet e mira mes anëtarëve të avokatëve dhe juristëve të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Serbisë, ndër të cilët edhe Dejan Nikoliq, i cili tha se diskutime të cilat janë duke u bërë në mes të Odës së Avokatëve dhe drejtësisë do të rezultojnë me nxjerrjen apo amendamentimin e një ligji të mirë për avokatët.
Në lidhje me atë se a do ta përkrahë Kosovën që të jetë pjesë e CCBE-së, ai tha se kjo nuk është në kompetencat e avokatëve.
