Partitë politike kanë nënshkruar sot një deklaratë ku janë zotuar për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore.
Kjo deklaratë është bërë nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim. Leon Malazoku, si nikoqir i këtij aktiviteti theksoi se perceptimi tek moshat e reja lidhur me përfshirjen e gruas në proceset vendimmarrëse është shqetësues dhe një alarm për shoqërinë pasi që sipas grupmoshave 15 – 18 vjet gruaja e ka vendin në shtëpi.
Valdete Daka nga Komisioni Qendrorë Zgjedhor (KQZ) tha se përfshirja e grave në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrja e tyre përveç që është një obligim që duhet kryer ndihmon edhe në demokratizimin e shoqërisë dhe funksionimin më të mirë të saj.
Ndërsa partitë politike shqiptare dhe jo shqiptare u zotuan se do të punojnë më shumë në përmirësimin dhe përfshirjen e gruas në proceset zgjedhore duke thënë se kjo nuk është një favor që i bëjnë gjysmës së popullsisë së Kosovës, por është një e drejtë që u takon atyre.


