Pjesëtarët e grupit të Kumanovës heshtën para prokurorëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Të arrestuarit e grupit të Kumanovës, të cilët gjenden në burgun e Shutkës, kanë refuzuar që të japin deklarata para prokurorëve për shkak se ata kanë shkelur Ligjin për procedurë penale, thotë avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Sipas tij, mbrojtja u ka sugjeruar të arrestuarve të mos japin deklarata për shkak se prokurorët nuk ia kanë ofruar mbrojtjes provat në bazë të cilave akuzohen.
“Neni 206 i Ligjit për Procedurë Penale është shuam i qartë dhe aty thuhet se para se të kërkohet deklaratë nga i akuzuari, prokuroria duhet t’i ofrojë provat në bazë të cilave ai akuzohet. Dy prokurorët që sot kishin ardhur të marrin deklarata nga të akuzuarit refuzuan të na japin provat dhe ne vendosëm që të mos japim deklarata”, thotë Raufi për “Lajm” të Shkupit.
Sipas tij, në këtë rast nuk bëhet fjalë për mbrojtje me heshtje.
“Dua të theksoj se kjo nuk është mbrojtje me heshtje. A do të mbrohemi me heshtje, apo do të flasim para prokurorit do të vendosim më vonë. Sot ne vetëm nuk kemi dhënë deklarata për shkak se prokuroria shkeli në mënyrë flagrante ligjin, duke mos na i ofruar provat”, thekson Raufi.
Sjellja e këtillë e prokurorëve ka ngjallë dyshim te Raufi se gjyqësori në Maqedoni po përgatit edhe një rast të montuar. Për këtë arsye ai paralajmëron se do të ankohet te institucionet kompetente në vend dhe jashtë Maqedonisë që të intervenojnë deri te prokuroria që të respektojë ligjin.
“Unë nuk mendoj se prokurorët që ishin sot nuk e njohin ligjin. Ata e njohin ligjin shumë mirë por mendoj se kanë marrë urdhër që të sillen në atë mënyrë, respektivisht të mos i japin provat. Arsyetimi i tyre ishte banal, se gjoja nuk është shumë me rëndësi a jepen provat para ose pas deklaratave e kështu me radhë. Që nga viti 2013 kur ka ndryshuar ligji nuk kemi pasur probleme të kësaj natyre. Kjo më bën të dyshoj se po përgatitet rast i montuar ndaj të arrestuarve të Kumanovës”, thekson Raufi.
Ai paralajmëron se do të kërkojë nga institucionet që të ndryshojë përbërja e plotë e Prokurorisë maqedonase për luftë kundër krimit të organizuar, sepse e konsideron këtë prokurori si jokompetente.
Të mërkurën dhe të enjten prokurorët do të shkojnë në Manastir dhe Prilep për të marrë deklarata nga të arrestuarit që janë të vendosur në burgjet e atjeshme, mirëpo Raufi paralajmëron se nëse nuk ofrohen provat edhe ata do të refuzojnë të japin deklarata sepse kjo sjellje i vendos në pozita të pabarabarta mbrojtjen dhe prokurorinë.