Pas vendosjes së kornizave të pusetave, vendosjes së kornizave të ujëmbledhësit, si dhe pastrimit të pusetave dhe gypave të kanalizimit të ujërave atmosferikë në 45 rrugë të kryeqytetit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në kuadër të planifikimeve të saj ka vazhduar me pastrimin e shtratit të lumenjve dhe kolektorit atmosferik.
Komuna e Prishtinës njofton se në Matiçan është pastruar përroska e cila tash e një kohë ishte shndërruar në deponi të mbeturinave.
“Në kuadër të kontratës për pastrimin e hyrje dhe daljeve të përroskave të qytetit, me qëllim të debllokimit të tyre nga mbeturinat dhe shkurret të cilat e bllokojnë rrjedhën normale të ujit. Në ndërkohë, është intervenuar edhe në një pjesë të përroskës që ndodhet në fshatrat Siqevë dhe Keqekollë, e cila ishte bllokuar si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.
Komuna e Prishtinës i fton të gjithë qytetarët që kanë probleme të ngjashme që t’i raportojnë ato në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit.
