Prokuroria Speciale e Kosovës: Aktakuzë kundër 11 personave

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 11 personave, ku 10 prej tyre janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe një pronar i një kompanie private, për vepra penale që ndërlidhen me ndërtimet kundërligjore. Sipas aktakuzës zyrtarët komunal iu kishin mundësuar investitorëve që të ndërtonin banesa kolektive në kundërshtim me ligjin duke iu siguruar atyre dobi të madhe materiale, prej me shumë se 28 milionë euro.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës thuhet se PSRK-ja ka ngritur sot aktakuzë kundër ish shefit të sektorit për ndërtim, ish zyrtarit për përmbarim dhe ish inspektorëve për ndërtim në Sektorin e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Sipas aktakuzës dhjetë të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal, të cilët kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës janar 2010, mars 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtar e, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për të tjerët, ashtu që nuk i kanë i parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore, si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve, që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në Komunën e Prishtinës. Ndërkaq, pronarin e një kompanie private aktakuza e ngarkon për falsifikimin e dokumentit, në bazë të së cilit ka ndërtuar një objekt kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Me tutje Prokuroria Speciale sqaron se të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28 milionë e 503 mijë e 922 euro.“Dobia e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale është konfiskuar. Nga një i pandehur është konfiskuar vetura e markës Audi Q7, në vlerë prej 37.000,00 €, vetura e markës VË Golf në vlerë prej 12.500€, vetura tjetër e markës VË Golf në vlerë prej 16.800,00€, si dhe para në shumën prej 11.000,00 €. Nga një i pandehur tjetër është konfiskuar vetura e markës VW Passat, në vlerë prej 20.000,00€, si dhe para në shumën prej 10.560,00 franga zvicerane, 2.600,00$ amerikan dhe 1.880,00€. Ndërsa nga i pandehuri tjetër është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76. 3 m2”, thuhet me tutje në njoftimin e PSRK-së.
Aktakuza është ngritur pas përfundimit të një hetimi mjaft kompleks, që përfshinë një numër të madh të pandehurve dhe dëshmitarëve të shumtë.
Prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe të dënojë sipas ligjit.
PSRK-ja kishte filluar grumbullimin e informatave të rëndësishme nga fusha e ndërtimit në shtator të vitit 2013, ndërsa ka marr aktvendimin për fillim të hetimit për këtë rast në prill të vitit 2014./ 21MEDIA