Më 18 qershor 2014, vetëm pak orë pasi serbët lokalë larguan barrikadën me beton nga ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë, u vendos pengesa tjetër që ndan këtë qytet në dy pjesë. Ajo nga serbët u quajt ‘Parku i Paqes’, ndërsa nga shqiptarët ‘Parku i Turpit’.
Atëkohë u tha se ishin strukturat paralele dhe ato të Beogradit që e bënë këtë, sepse parku nuk ishte vullnet i serbëve të Mitrovicës Veriore, ndërsa sot, pikërisht pas një viti të vendosjes së këtij parku, qytetarët e asaj pjese e konfirmojnë një gjë të tillë.
Jellena Cvetkoviq, banore e veriut, ka bërë të ditur se parku mbi urën e Ibrit nuk është vullnet i qytetarëve të veriut. Sipas saj, do vie momenti kur ai park do të largohet, mbase dyshon se një gjë e tillë do të ndodhë shpejtë, ndërsa e ka quajtur të pakuptimtë faktin se ky park është vendosur për t’i mbrojtur qytetarët e veriut nga shqiptarët. “Vërtetë nuk besoj se parku është vullnet i qytetarëve të Mitrovicës Veriore, por mendoj se është shfrytëzuar vetëm një moment politik pë r t’u vendosur ky park… Mendoj se është e pakuptimtë të bisedohet se një park i tillë mund ta mbroj këdo nga çfarëdo…Aktualisht po zhvillohen bisedimet dhe kur të fillojnë të zgjidhen disa çështje në Mitrovicë mendoj se do vie momenti kur edhe ai do të largohet, mbase jo në një të ardhme të afërt, por gjithsesi në një moment po”, ka thënë Cvetkoviq.
Fata Zatriqi, banore e ‘Tre rrokaqiejve’ në veri të Mitrovicës, tha se e do shumë Mitrovicën dhe dëshiron që të gjithë të jetojnë bashkë si dikur. Ajo theksoi se vendosja e parkut mbi Ibër i shkakton shumë vështirësi në lëvizje, andaj pret që sa më shpejtë të largohet. “Mezi pres që ky park të largohet dhe të bashkohemi, sepse jeta njëherë jetohet. Ne e duam shumë qytetin tonë dhe Mitrovica është qyteti më i mirë në Kosovë. Gjithmonë kemi jetuar të bashkuar dhe duam që edhe tutje të vazhdoj më në këtë mënyrë, sikur dikur. Absolutisht askush nuk e do parkun dhe nuk është vullnet i qytetarëve. Natën nuk po mund të flejmë rehat sepse vullneti ynë është që ky park të heqet sa më parë. Parku do të heqet kur njerëzit të merren vesh mes vete”, theksoi Zatriqi Ajo e ka quajtur farsë faktin se parku shërben për mbrojtjen e serbëve nga shqiptarët, siç pretendojnë disa nga politikanët serbë. “Kurrë në jetë, sepse shqiptarët dhe serbët edhe tani jetojnë siç kanë jetuar më parë, kjo është vetëm një farsë.. urdhëroni shkoni nëpër kafeteritë e veriut dhe do t’i shihni bashkë shqiptarët e serbët. Unë nuk po mundem me flejt rehat sepse kjo po më kushton shumë. Jetoj tek tre rrokaqiejt dhe mua më duhet të shkoj krejt rreth e rrotull, ose nga Suhodolli ose nga ‘Lagjja e boshnjakëve’ për të dalë në veri. Ja tani më është dash ur të paguaj taksi pikërisht për shkak të ‘Parkut të Paqes’”, sqaroi ajo.
Edhe Lubo Çevërdanoviq nga qyteti i Deçanit, i cili tha se jeton si refugjat në veri të Mitrovicës, ka mohuar se parku është vullnet i qytetarëve. Ai potencoi se ky park nuk mund të jetë assesi “ParkPaqes’, duke shpresuar se kjo pengesë do të largohet së shpejti. “Mendoj se ‘Parku i Paqes’ nuk është vullnet i qytetarëve të Mitrovicës Veriore, dhe nuk mund të jetë ai kurrë ‘Park i Paqes. Çfarë ‘Parku i Paqes’ është ai. Unë shpresoj se së shpejti do të gjendet një zgjidhje dhe parku do të largohet dhe të shkojmë përpara e me të mira, dhe jo të gabojmë thellë e më thellë”, theksoi Çevërdanoviq.
Për ”parkun” mbi Ibër u diskutua dhe po diskutohet edhe sot në Bruksel nga delegacionet kosovare e serbe që ura të kthehet në gjendjen e mëp arshme, derisa ajo vazhdon të mbetet në të njëjtin vend, pa ditur askush nëse do të largohet dhe kur do të ndodhë kjo.
