Sulmi i 9 majit mes forcave të rendit në Kumanovë të Maqedonisë dhe një grupi të armatosur të pjesëtarëve të ish-UÇK-së, nuk do të bëhet pjesë e hetimeve ndërkombëtare. Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka hedhur poshtë zërat për një hetim ndërkombëtar për ngjarjen e 9 dhe 10 majit në Kumanovë.
Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, gjatë qëndrimit të tij në Kumanovë ku zhvilloi një takim me përfaqësuesit e bashkësisë lokale të “Lagjes së Trimave”,transmeton Shekulli.
“Ne si MPB pjesën tonë të aktiviteteve e mbaruam. Me realizimin e ekspertizës në vendin e ngjarjes të cilën e kryesonte prokuroria publike janë ngritur dhe siguruar të gjitha gjurmët si dëshmi për zhvillimet dhe ngjarjet. E tani, pritjet tona, si edhe tuajat, janë që prokuroria publike përmes një procedure transparente dhe efektive gjyqësore të qartësojë të gjitha rrethanat e zhvillimeve në Kumanovë. Nuk ka kërkesa dhe sipas bindjes sime të thellë nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast”, deklaroi ministri Çavkov./21Media
